Minibus Hire Leeds Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool MiniBus Hire Minibus Hire Manchester Minibus Hire Newcastle National Minibus Hire Minibus Hire wakefield
INTERVISTA/ Gazetari që u kthye nga vdekja: Më morën zvarrë dhe më groposën. Arben Imamin e hodhën të gjakosur te këmbët e mia, tha “do na vrasin” - Kercova.info

INTERVISTA/ Gazetari që u kthye nga vdekja: Më morën zvarrë dhe më groposën. Arben Imamin e hodhën të gjakosur te këmbët e mia, tha “do na vrasin”

0
Email

Në 28 majit të vitit 1996, politikanë, gazetarë vendas dhe të huaj u rrahën barbarisht nga policë civilë të forcave speciale dhe punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar gjatë një proteste në sheshin “Skënderbej”.

Ndër ta ishte dhe gazetari Bardhok Lala, i cili u rrah nga punonjës të SHIK-ut. Gazetari të cilin shumë njerëz e dinë të vdekur, në intervistë për emisionin “Dritare me Rudinën”, tregon ditën e 28 majit ‘96.

Pas 21 vitesh nga ngjarja e rëndë, gazetari asokohe i gazetës “Dita Informacion”, tregon si u dhunua në makinën e kuqe, më pas të zhveshur dhe gati pa jetë, e hodhën në Liqenin Artificial. Ata që e bënë, ishin 4 persona të paidentifikuar dhe të padënuar kurrë.

Sot Bardhok Lala jeton në Lezhë ku punon si ndihmësmjek dhe kujton kohën kur “vdiq” në 1996.

Rudina Xhunga: Bardhok, u takuam rastësisht në këtë kafe, në Shëngjin. Kanë kaluar 21 vjet. Është shumë e çuditshme, por siç e kam lexuar unë, besoj se e ke lexuar edhe ti që gjithandej ngushëllojnë familjen e gazetarit Bardhok Lala çdo 28 maj. Të dinë të vdekur Bardhok.

Bardhok Lala: Po, në 28 maj vdiqa vërtet. M’u pre rruga, nuk bëj më atë, që doja më shumë se gjithçka. Nuk shkruaj më.

Rëndësi ka që nga shëndeti jeni shumë mirë, që ke familje dhe jeton. Mund të tregojmë se ku jeton, punon?

Jetoj në Lezhë. Jam ndihmësmjek.

Bëre ndonjë shkollë më pas?

E kisha bërë më para. Për një periudhë deri në vitin 2003, i ushtrova të dyja. I kisha si vëllezër binjakë.

Kur t’u luta më trego e kishe shumë të vështirë. Edhe unë e kam të vështirë të kthehem pas, por do të kthehemi të dy. Faleminderit që pranove të flasim bashkë.

Faleminderit prej jush, unë të jam borxhli, sepse koleg si ti, që janë vetvetja, kanë mbetur pak në median shqiptare. Është nder për mua të intervistohem nga Rudina, që e kam takuar për herë të parë në ’95.

Në ’95 ishe gazetar i “Kohës sonë”. Korrespondent?

Po, isha korrespondent, mbuloja rrethin e Pukës, Kukës dhe Tropojë. Tani, për kolegët e rinj, këto që themi, mbase duken përralla fantastiko-shkencore .

Rrethi i Durrësit kishte ngelur zbuluar për shkak të trysnisë së jashtëzakonshme të qeverisë së asaj kohe, që qeveri e kishte emrin, sepse qeveri, kryeministër e president ishte Sali Berisha. Redaksia e gazetës “Koha jonë” kishte marr zyra me qira në Durrës për të mbuluar rrethin. Unë punova aty rreth 4-5 muaj. Më pas, një grup gazetarësh kaluam te “Dita Informacion”. Ishte Shpëtim Nazarko, Apollon Baçe, Jakin Marena, Robert Rakipllari, Anila Basha. Isha te “Dita Informacion”, kur ndodhi ngjarja, edhe pse e ngatërrojnë dhe kujtojnë se isha te “Koha Jonë”.

Njëkohësisht, punoja edhe për gazetën “Populli Po”, me Ilirjan Zhupën, Taulant Dedjen, Arban Hasanin.

Në atë kohë unë ende nuk kisha bërë 25 vjeç, bëra një shkrim te “Populli Po”, kundër fajdeve. Ishte zanafillë sepse unë thoja të vërtetën dhe e vërteta kushton edhe unë kushtoj.

Këtë dua të tregojmë, sepse asnjëherë nuk është sqaruar tamam çfarë ndodhi dhe pse të ndaluan. I fundit që të ka parë në atë kohë ishte Arben Imami në qeli.

Ka qenë një kohë me kaq shumë ngjarje, sa nuk del kurrë koha ta tregosh të gjithën. Dhe të mendosh se e kemi harruar.

Peng në jetën time kam pasur çantën që më është konfiskuar sepse në atë çantë kam pasur shumë dokumente, shumë fotografi. Kam pasur një fotografi që zv.Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Agim Shehu, po vendoste pankarta të Partisë Demokratike tek dera e Gjykatës .

Kishte shumë ngjarje. Data 25, ditë e shtunë, data 26 që ishte dita e votimeve, tërheqja e opozitës. Data 27, dita e hënë, në shtypin shqiptar kanë dalë në dy gazeta, “Dita Informacion” dhe gazeta “Albania”. Gazeta “Albania” kryeartikull ka pasur fitoren e PD-së. Ndërkohë gazeta “Dita Informacion” u hap me shkrimin tim, nuk ishte thirrje që bëra unë për të dal në shesh, ishte thirrje e liderëve të opozitës së asaj kohe për të dal në shesh.

Në datën 28 maj, dita e martë, rreth orës 8 të mëngjesit me shumë kolegë bridhnim nga një seli në një seli tjetër politike.

Unë bashkë me Apollon Baçin që ishte kryeredaktor, shkonim në të gjitha selitë, në kërkim të lajmit. Ishte një gjendje tepër e tensionuar, ishte një luftë pa luftë, një luftë pa armë. Më tepër, ishte një luftë nervash.

Seç kisha një parandjenjë. Nuk kisha një parandjenjë të mirë, më vinte era si gjak. Te 15 katëshi, grupi i parë i opozitës, te rruga nga stacioni i trenit për në qendër, grupi i dytë i opozitës, te selia e PS-së ishte mbledhur opozita. Unë isha poshtë shkallëve, ku ka qenë statuja e diktatorit dhe me aparatin në dorë. Pas meje ishte një burrë, te të 65-tat, me mjekër. Unë kujtova se mos ishte oficer i SHIK-ut, sepse e kisha parë pothuaj gjithë javën, aty ku ishim ne gazetarët. Ky i shkreti kishte qenë koleg i joni, por i huaj. Nga isha unë, ishte dhe ai.

Më kujtohet që ndërsa ruhesha prej tij, ka ndaluar një makinë aty te shkallët ku ka qenë busti i diktatorit dhe jam tërhequr zvarrë nga flokët. Isha vetëm. Në makinë ishte shoferi dhe tjetri në krah, civilë të dy.

Më futën në makinë dhe makina u fut rrugicës nga Banka për të dal te Selia e PS-së dhe për tu kthyer te Drejtoria e Tiranës, që është edhe sot, ka qenë Komisariati numër 2. Makina ndaloi aty dhe shoferi kishte frikë se mos zbrisja, por unë nuk kisha pse zbrisja e nuk kisha pse të kundërshtoja, sepse ligji duhet zbatuar.

Pse ty nuk të ndëshkoi ligji?

Jo, nuk ishte ligji, ishte anti-ligji.

Më çuan në Komisariat, aty më mbajtën çantën dhe më lanë në korridor. Erdhi polici i shkretë, i cili po dridhej nga frika.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 Kercova.info | Powered by AlbHosting.com