Minibus Hire Leeds Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool MiniBus Hire Minibus Hire Manchester Minibus Hire Newcastle National Minibus Hire Minibus Hire wakefield
Rrëfehet djali i ish-kryeministrit: Babai kërkoi mos dilja me Kadarenë, e vërteta e gruas sime me diplomatin e huaj - Kercova.info

Rrëfehet djali i ish-kryeministrit: Babai kërkoi mos dilja me Kadarenë, e vërteta e gruas sime me diplomatin e huaj

0
Email

Në atë vjeshtë ankthi, Mehmet Shehu përpëlitej i pashpresë t’i shpëtonte fundit të parashikuar.

Pas ftohtësisë së Enver Hoxhës në Kongres, nisi të mendonte të vendoste pak “rregull” në shtëpi, diçka që e bënte herë pas here me të bijtë.

Bashkim Shehu, në rrëfimin e tij, të vitit 1994, në librin “Vjeshta e ankthit”, tregon të vërtetat e jetuara prej tij, në lidhje me një nga ngjarjet më të bujshme të diktaturës komuniste në Shqipëri: vrasje/vetëvrasjen e kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu, më 17 shtator të vitit 1981, plot 34 vjet më parë.

Bashkim Shehu, me dhuntinë prej shkrimtari dhe syrin e dëshmitarit, na tregon gjithë çka ndodhte në shtëpinë e tij, pas prishjes së fejesës kobzezë mes të vëllait, Skënderit dhe Silva Turdiut.

Ai rrëfen një nga ato ditët, kur Mehmet Shehu tentonte të vendoste autoritetin në shtëpi, duke u imponuar ca rregulla të bijve, duke u mbështetur në sinjalizimet e Sigurimit të Shtetit, si daljet natën vonë, ndonjë gotë me miqtë, kafetë në shoqërinë e të huajve, sjellje të “pahijshme” për kohën, siç mund të ishte një qëndrim këmbë përmbi këmbë apo konsumimi i alkoolit nga një femër.

Deri te këshilla që të mos shoqëroheshin më me shkrimtarin Ismail Kadare, me njeriun, që siç do të thoshte bashkëshortja e atëhershme e Bashkim Shehut, ishin njerëzit e vetëm ku ata shkonin me qejf….

NGA BASHKIM SHEHU

Pak ditë mbasi u prish fejesa e Skënderit me Silvën, babai dërgoi e më thërriti sërishmi nga zbori. Më priste në studion e tij të katit të poshtëm, i vrenjtur, hijerëndë, po prapëseprapë me njëfarë turbullimi që s’po mund ta fshihte.
Mesa dukej, i paduruar që t’i thoshte sa më parë çka krejt kishte përbluajtur vetmevete, qe kthyer nga zyra mjaft herët. Ose ndoshta s’kishte qenë fare në zyrë dhe sapo qe kthyer nga Enver Hoxha, me të cilin po takohej dendur gjatë gjithë asaj jave. ­

Tani, janë disa çështje të brendshme të familjes sonë që duhet t’i ndreqim, – filloi babai, ndërsa unë u ula në një kolltuk përkundruall tij, – për këtë të kam thirrur.

Një copë herë ndërmjet nesh u nder një heshtje e sikletshme. Unë po mundohesha të kuptoja çfarë donte të thoshte e ku donte të dilte, po edhe ai e kishte disi të zorshme ta shpështillte fillin e bisedës. Janë disa probleme që kanë të bëjnë, së pari, me mënyrën tënde të jetesës, – e prishi heshtjen më në fund. ­Mënyra ime e jetesës?

Atë çast hyri një shërbyese, me një pjatë të vogël në të cilën kishte një kokërr mollë. Babai heshti sakaq. Mua s’po më pritej gjersa ajo të dilte nga dhoma dhe babai të vazhdonte. As atij vetë nuk i pritej.

­Lëre aty, – i tha shërbyeses duke e ndjekur me sy me njëfarë bezdie, pastaj për diçka u kujtua dhe i tha: – Më bjer një shkrepëse. Priti që shërbyesja të mbyllte derën dhe vazhdoi: ­Ti bën jetë lokalesh, Bashkim.

Po më fliste në emër të plotë dhe kjo ishte e pazakontë për të. Kjo donte të thoshte largësi e pamatë, tëhuajtje. Shpërnjohje.

Në shqiptimin prej tij të emrit tim të plotë kumbonte jehu i mallkimit. Ti s’je më biri im. Kurse ai ishte gjithnjë babai im dhe kjo më bënte të ulërija i ndërkryer dhe njëkohësisht më ndrydhte e ma mbytte përbrenda ulërimën.

­Unë tërë ditën e kaloj duke shkruar apo duke lexuar, kështu që kam nevojë edhe të çlodhem, të argëtohem…

­Ti kthehesh shumë vonë në shtëpi. Të rrish me orë të tëra nëpër kafenera, duke pirë, kjo s’është e rregullt.

­Se pi ndonjë gotë, s’ka asgjë të keqe. Unë as dehem, as rrihem, as i bie kujt më qafë. ­Mos u rrëmbe, – ma preu babai – s’të thotë njeri se ke bërë gjëra të tilla.

Hyri prapë shërbyesja, e cila solli një kuti shkrepëse.

­Mos u rrëmbe, mos e bëj tragjike, – foli prapë babai, dhe shtyu nga unë pjatën me kokrrën e mollës.

Pastaj nxori nga xhepi i brendshëm një tufë letrash, pas gjase ndonjë buletin zyrtar sekret, zu t’i bënte shuk njëra pas tjetrës dhe t’i hidhte ashtu grumbull në vatrën e oxhakut. ­Në fund të fundit, unë s’jam as i vogël, – i thashë.

Ai u përkul për nga oxhaku, ndezi një shkrepëse dhe vuri flakën së përposhtmi letrave të shukura e të hedhura aty. ­Vërtet, tani ti je burrë, – tha mbas pak pa kurrfarë qesëndie në zë, – mund të shkosh dhe në kafene, me gruan tënde.

Po një herë në hënë e jo çdo natë! Fundja, mund të pish dhe ndonjë gotë, kurse ajo mund të marrë ndonjë pastë, por jo të pijë, këmba mbi këmbë…

Vështrova për një hop letrat që filluan të digjeshin në oxhak, duke u nxirë e tkurrur me ca spërdredhje si një përpëlitje e dhimbshme prej qeniesh të gjalla.

­Pse, ç’të keqe ka!, – i thashë babait.

Fytyra e tij vazhdimisht çehrengrysur, u vrungua edhe më. Dukej në zgrip të një shpërthimi britmash të hakërryera dhe mezi e përmbante veten.
Po fjalët e tij më ngjethën edhe më tepër se çdo e bërtitur. ­Unë s’mund të lejoj që ju të merrni nëpër këmbë nderin tim, – tha ai, – nderin e anëtarit të Byrosë Politike.

Letrat e hedhura në oxhak përflakeshin furishëm, a thua se prej shkronjave të tyre çlirohej ashtu një zjarr magjik. ­Do të bëni si them unë, – vazhdoi ai, – s’ka të vonoheni natën sa të doni, do të ktheheni në orar. Që sot e tutje, në ora 9 shtëpisë i vihet çelësi. Kjo shtëpi nuk është han…

­Mos është kazermë? – i thashë.

­Po, – tha ai, – të pëlqen apo s’të pëlqen ty!

Kështu si them unë do të bëhet!

Në qoftë se nuk do të bëhej ashtu, unë s’do të isha më biri i tij. Po mirë, atëherë as ai nuk ishte më babai im…

Përpara meje qëndronte një idol prej guri, i shurdhët e i pamëshirshëm. Idoli duhej thyer të ndizej sherri dhe flaka

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 Kercova.info | Powered by AlbHosting.com